Site icon Telegrafi

Zaev: Fokusi është rritja ekonomike në vend dhe përmirësimi i standardit të jetesës

Në një deklaratë të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar përshëndeti masat dhe politikat ekonomike të qeverisë që kanë ndihmuar në ruajtjen e punësimit dhe zbutjen e ndikimit të pandemisë në ekonomi, shkroi kryeministri Zoran Zaev në Facebook.

Pikat thelbësore, shkruan Zaev, në deklaratën e Misionit të FMN-së të publikuar pas konsultimeve në vend janë këto:

Rimëkëmbja ekonomike pritet të vazhdojë në vitin 2022, e cila do të nxitet nga kërkesa e fortë e brendshme; Mbështetja e fortë e politikave zbut ndikimin e pandemisë në ekonomi; Buxheti i vitit 2022 vazhdon të mbështesë aktivitetin ekonomik; Inflacioni do të fillojë të ulet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm dhe do të stabilizohet në rreth 2% në vitin 2023 dhe në periudhën në vijim.

“Qeveria, e përkushtuar dhe në konsultim me të gjithë aktorët përkatës në vend, si dhe me institucionet ndërkombëtare, ka miratuar masa gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe ekonominë, me qëllim ruajtjen e likuiditetit dhe ruajtjen e vendeve të punës dhe mbi të gjitha shëndetin si prioritet në kushtet e pandemisë globale.

Në përputhje me FMN-në, Qeveria pret që punësimi të rimëkëmbet gradualisht për sa i përket zhvillimeve ekonomike për vitin e ardhshëm, ndërkohë që rritja e lartë e pagave, rritja e remitancave dhe përdorimi i një pjese të kursimeve të akumuluara do të ndikojnë në rritjen e të ardhurave të disponueshme. Fokusi është rritja ekonomike në vend dhe përmirësimi i standardeve të jetesës”, shtoi Zaev./Telegrafi/

Exit mobile version