Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, pas publikimit të raportit të përparimit nga ana e Komisionit Evropian, sot në konferencë për shtyp tha se kjo është ditë e madhe pasi Komisioni Evropian rekomandoi fillimin e bisedimeve me Maqedoninë, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zaev tha se rekomandimi i fillimit të bisedimeve do të ndodhte edhe nëse opozita maqedonase nuk kthehej në Kuvend dhe se gjitha partitë kanë dhënë kontribut për këtë arritje, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Kjo është një nga ditët, kur gjithë qytetarët mund të jenë krenar. Sot arritëm një nga hapat më të mëdhenj, drejt qëllimeve tona strategjike. Komisioni Evropian propozoi fillimin e bisedimeve pa kusht. Në dy raportet e fundit të KE-së, për shkak të krizës së thellë politike u pezullua fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE. Këtë vit rekomandimi është i pastër dhe pa kusht. Kjo do të thotë se kriza politike është pas nesh, se BE po ndjek reformat në shtet dhe se jemi një shtet demokratik. KE hapi dyert për ne dhe tani kemi një mundësi të madhe para nesh”, tha mes tjerash Zaev.
Ai shtoi se askush nuk dyshon se për këtë hap dhe këtë njohje të vlerave, e kanë qytetarët e Maqedonisë.
“Qytetarët luftuan për drejtësi, reforma duke zgjedhur qeveri të re. Qytetarët vërtetuan se dijnë se çfarë është e rëndësishme. Maqedonia do merrte rekomandim për fillimin e bisedimeve, edhe nëse opozita nuk kthehej në Kuvend, por ata e kuptuan se ku është suksesi. Do ta vazhdojmë procesin e reformave, me paketën e ligjeve që kemi në Kuvend. Kontribut kanë edhe partitë opozitare, si Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare”, shtoi kryeministri Zaev./Telegrafi/