Site icon Telegrafi

Zaev: E vërteta për rastin “Monstra” është në duar të organeve të drejtësisë

“Organet e drejtësisë duhet ta sjellin të vërtetën dhe të drejtën lidhur me vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, që opinioni të dijë të gjitha detajet për këtë rast”, tha sot kryeministri Zoran Zaev, para Gjykatës Penale pas përfundimit të seancës gjyqësore në lëndën “Ryshfeti”, ku ai është i akuzuari i parë.

Zaev theksoi se ka takime me anëtarët e familjes së të vrarëve në këtë rast, i cili ndodhi sot para gjashtë viteve në liqenin e Smilkovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për rastet në të cilat opinioni është i interesuar, siç janë Nikolla Mlladenov, Monstra, ngjarjet e Kumanovës, duhet të dihen të gjitha detajet, gjithë e vërteta dhe Maqedonia të fillojë me drejtësi sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Nëse duam të jemi shtet, nëse jo atëherë do të mbeten intrigat, spekulimet dhe do të bie besimi në institucione”, tha Zaev.

Përndryshe, sot para gjashtë viteve në liqenin e Smillkovës u vranë pesë persona: Kire Trickovski, Filip Slavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe Borçe Stefanovski.

Për këtë vrasje u hap lëndë me emrin “Monstra”, ndërsa me dënim me burg u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta./Telegrafi/

Exit mobile version