Site icon Telegrafi

Zaev: Diskutimi për legalizimin e marihuanës mbetet i hapur

Kryeministri Zoran Zaev konsideron se ideja për legalizimin e marihuanës për qëllime rekreative në qendrat turistike do të ndikojë në rritjen e turizmit. Megjithatë, paralajmëron se shteti nuk është i gatshëm për një gjë të tillë, edhe pse diskutimi mbetet i hapur.

“Unë jam i mendimit se nuk jemi të gatshëm, po dua t’u them se deri ku shkojnë trendet moderne, deri në lëshimin e përdorimit të marihuanës në vendet turistike. Disa mendojnë se pesëfish do të rritet kërkesa e turizmit”, deklaroi Zaev duke shtuar se shteti ende nuk ka vendosur mekanizma kontrollues, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Diskutimi mbetet i hapur. Kjo bëhet në botë, më së shumti për turizëm”, shtoi Zaev.

TV21 para disa ditësh, duke u thirrur në burime nga Qeveria, publikoi se seriozisht po shqyrtohet çështje për legalizimin e marihuanës, ndërsa në test fazën e parë, do të ishin vendet turistike si Ohri dhe Struga.

Nga Qeveria e demantuan informacionin, duke e cilësuar si dezinformim, me sqarim se marihuana është e legalizuar vetëm për qëllime mjekësore./Telegrafi/

Exit mobile version