Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, mbrëmë në Mynhen fituan çmimin “Evald fon Klajst”.
Nikoqir i ceremonisë ishte kryeministri i shtetit federal të Bavarisë, Florian Herman, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Evladt Fon Klajst” është çmim që jepet për kontribut ndaj paqes botërore dhe sigurisë.
“Kjo është nder i madh për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, shkroi Zaev në rrjetin social “Facebook”.
Zaev dhe Tsipras u përshëndetën me duartrokitje përderisa e pranonin çmimin për kontributin e tyre në paqen ndërkombëtare dhe zgjidhjen paqësore të kontesteve nëpërmjet marrëveshjes së Prespës.
“Unë dhe Alexis këtu sonte do t’u tregojmë dhe do të bisedojmë me ju për Ballkan të ndryshëm, për Ballkan të shekullit 21. Kam tri fjalë kryesore për ta përshkruar suksesin e miqësisë tonë: shpresë, dialog dhe unitet”, tha Zaev në fjalimin e tij.
Ai ceku se ka pasur edhe shpresë për këtë duke thënë se “kur të gjithë më thoshin se nuk është e mundur, kisha shpresë për ardhmëri më të mirë. Dialog. Kur të gjithë flisnin për linja të kuqe, Alexis dhe unë vendosëm t’i heqim linjat e kuqe”.
Zaev tha se këtë çmim i përkushton të gjithë të rinjve në Ballkan dhe se kjo arritje është për ato./Telegrafi/