Kryeministri i Republikës së Maqedonisë dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev së bashku me bashkëshorten Zorica votoi në vendvotimin 1730 në shkollën “Nikolla Vapcarov” në Strumicë, ku edhe si kryetar i komunës e shfrytëzonte të drejtën kushtetuese. Ai pas votimit tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e komunave në vend, ndërsa shprehu dëshirën që sonte të gjithë qytetarët e vendit duhet të ndjehen fitimtarë.
“Sot është ditë e madhe për demokracinë dhe lirinë në Maqedoni. Ditë kur qytetarët zgjedhin vazhdimin dhe rrumbullakësimin e ndryshimeve në vend. Sot përmes zgjedhjeve të lira, korrekte dhe demokratike, qytetarët do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe do të zgjedhin integrimin euro-atlantik të Maqedonisë, do të zgjedhin një shoqëri për të gjithë, do të zgjedhin komuna ekonomikisht të zhvilluara, shtet të zhvilluar. Shpresoj të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike. Vetëm në atë mënyrë të gjithë jemi fitimtarë në Maqedoni. Në fund, përmes votës sonë dhe përmes përqindjes së daljes në votime japim përkrahje për rritje dhe zhvillim të të gjitha komunave në vend. Dëshiroj që të gjithë qytetarët sonte të ndjehen fitimtarë”, tha Zaev pas votimit në Strumicë./Telegrafi/