Telegrafi

Zaev-Dejvidse: Stabiliteti politik është i rëndësishm për arritjet ekonomike

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot ka realizuar takim me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Kun Dejvidse, i cili përfaqëson vendin tonë së bashku me Armeninë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Qipron, Gjeorgjinë, Izraelin, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Ukrainën, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin disavjeçar të vendit tonë me Bankën Botërore, për intensifikimin e marrdhënieve në të ardhmen dhe për shpejtimin e projekteve të cilat financohen nga Banka Botërore.

“Për momentin Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i cili nuk ka çështje të hapura dhe është në proces drejtë anëtarësimit në NATO. Për ne kjo paraqet sukses të madh dhe tani jemi të fokusuar në përfitimin e qytetarëve dhe forcimin e ekonomisë”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev e njoftoi drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Dejvidse për rezultatet e arritura në planin ekonomik të cilat tregojnë rritje prej 3.7 për qind në çerekun e katërt të vitit 2018-të, rritjen e investimeve të huaja për vitin 2018 për 624 milionë euro.

Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore tha se zgjidhja e probleme të rëndësishme, anëtarësimi i vendit në NATO si dhe paralajmërimet për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian janë shembull se gjendja stabile politike është e rëndësishme për procesin e arritjeve të ekonomisë dhe përparimin e saj./Telegrafi/