Në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit, të gjithë e dinë se duhet të ruajmë dinjitetin e popullit, kombit dhe shtetit. Por, nëse kjo çështje nuk zgjidhet deri në qershor, atëherë në vend se në të hyjmë në Evropë, duhet ta sjellim Evropën këtu, tha kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për portalin mkd.mk, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Zaev thotë se nuk ka për qëllim as të shesë, as të blejë dhe as që dikush ka kërkuar prej tij ndryshimin e emrit të aeroportit të Shkupit ose emrave të rrugëve.
“Është e mundur që kontesti i emrit të zgjidhet deri në gjysmën e parë të vitit 2018 me kompromis, për çka ekziston gatishmëri nga të dy palët”, thotë Zaev.
Kryeministri Zaev po ashtu ndjehet i kënaqur nga sinjalet pozitive dhe optimizmi që vijnë nga pala greke dhe ajo se si Athina po tregohet shumë e vëmendshme. Andaj ai premton se do të bëhen përjekje të fuqishme për zgjidhjen e problemit me emrin për periudhën kohore të paraparë.
“Deri tani mund të them se me sukses e kemi realizuar fazën e parë, në të cilën ndërmjetësuesi Metju Nimic u ul në tavolinë së bashku me negociatorët e të dyja palëve, për të parë sa janë të gatshëm dhe përshtypja e atij takimi ishte se të dyja palët ishin të gatshme që të fillojnë me zgjidhjen e problemit. Paralelisht ndërtojmë besim reciprok dhe kjo vihet në pah përmes të gjitha porosive që i dërgojmë njëri tjetrit”.
Pas takimeve të Kryeministrit grek me disa nga ministrat e partive të ndryshme politike, edhe Zaev planifikon që të realizojë takime të ngjashme./Telegrafi/