Zlatan Ibrahimovici ka pasur ndikim më të madh në futbollin italian sesa Cristiano Ronaldo. Kështu konsideron ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit, Alberto Zaccheroni.
Sulmuesi veteran ka pasur ndikim të madh te Rossonerët prej se u kthye në janar të këtij viti dhe me prezencën e tij, kuqezinjtë po fitojnë sërish.
39-vjeçari ka qenë pjesë e Milanit edhe në të kaluarën, kur arriti ta fitonte titullin e Serie A në vitin 2011.
Në ndërkohë, Ronaldo ka qenë i jashtëzakonshëm prej se iu bashkua Juventusit në vitin 2018, megjithatë Zaccheroni konsideron se Ibra ka pasur më shumë ndikim në Serie A.
“Kam qenë trajner i kampionëve të mëdhenj në karrierën time, nga (Oliver) Bierhoff te (George) Weah e deri te Adriano, por pendimi i vetëm që kam është asnjëherë nuk kam qenë trajner i Ibrahimovicit”.
“Ai është i përjetshëm dhe akoma nuk e kuptoj pse kurrë nuk e ka fituar Topin e Artë. Në Itali e ka ndryshuar baraspeshën më shumë se Ronaldo”.
“Nuk është befasi se shumë lojtarë të rinj janë zhvilluar në mënyrë eksponenciale që nga ardhja e tij. Ai jo vetëm që shënon. Por, transmeton vetëbesim te të gjithë bashkëlojtarët duke e mbajtur skuadrën mbi supe në momente të vështira”, ka deklaruar Zaccheroni për Il Giornale. /Telegrafi/