Tashmë janë bërë rutinë triumfet e Z Mobile Prishtinës në Superligën e Kosovës në basketboll. Në këtë javë, kryeqytetasit fituan në udhëtim te Lipjani me rezultat 103-91.
Me të filluar ndeshja, mysafirët u treguan më të mirë duke e fituar çerekun e parë me dy pikë epërsi (28:30).
Diferenca në dhjetëminutëshin e dytë ishte vetëm një pikë (24:25), mirëpo kjo mjaftoi që bardhekaltrit të shkonin në pushim me avantazh prej tri pikësh.
Nikoqirët shënuan një pikë më shumë në çerekun e tretë (21:20) në përpjekje për t’i ndryshuar gjërat.
Mirëpo, vizitorët e fituan bindshëm fraksionin e fundit (18:28) për ta fituar edhe gjithë ndeshjen.
Z Mobile Prishtina vazhdon të jetë pa konkurrencë në krye të tabelës me 23 fitore të arritura nga 23 ndeshje të zhvilluara.
Lipjani mbetet në zonën e ‘play-outit’ dhe do ta ketë shumë të vështirë të largohet nga ajo pjesë e tabelës. /Telegrafi/