Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka kundërshtuar lirimin e serbëve të arrestuar, që cilët dyshoheshin për sulm ndaj gazetarëve në veri të Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Manxhuka tha se personat e liruar “nuk janë vetëm sulmues të gazetarëve, ata kanë qenë pjesë aktive e grupeve atje”.
“Pra, ata nuk janë persona që rastësisht janë gjendur në problem apo raste të izoluara, por aktivisht dhe në mënyrë të organizuar janë të përfshirë atje”, ka shkruar Manxhuka, transmeton Telegrafi.
Më tej Manxhuka tha se është e çuditshme vendimi për t’i liruar serbët e dyshuar për krime në veri, derisa theksoi se Kodi Penal i Kosovës, ka opsione të tjera në raste të tilla.
“Është vërtetë e çuditshme mënyra si është marrë vendimi për lirim të këtyre personave veçanërisht me dorëzani kur Kodi Penal ka dhjetëra opsione tjera në këto raste. Këto lirime do të jenë vetëm inkurajim që ata të vazhdojnë avazin e vjetër, ndërkaq për të tjerët stimulim për t’u përfshirë në këto raste/grupe”, tha ai.
Me lirimin e tyre sipas tij do ta kenë edhe më të vështirë që gazetarët të raportojnë nga veriu.
“Dhe me këto vendime, nuk e di si do të jenë të lirë gazetarët të raportojnë sërish nga atje. Dhe jo vetëm ata”, tha ai. /Telegrafi/