Reperi i njohur Capital T është një ndër reperët më të preferuar nga publiku shqiptar. Këngët e tij gjithnjë janë bërë hite, gjersa shumica e projekteve kanë pasur vlerësimin dhe mbështetjen maksimale nga fansat.
Është e ditur tashmë që një ‘valutë’ e re matëse për suksesin e një artisti janë bërë klikimet në Internet, të cilat sigurisht jo gjithnjë janë më të rëndësishme se sa vet profili i një artisti.
Së fundmi, ka qenë pikërisht Capital T i cili është nderuar nga kompania e njohur “YouTube” me mirënjohje për suksesin e karrierës së tij të konvertuar në këtë kanal.
Ai ka arritur plot 111 mijë abonues, të cilët ndjekin me rregull projektet e reja të tij, gjersa klikimet e këngëve kanë arritur shifrën e gati 100 milionë klikimeve.
Përderisa është vlerësuar nga kompania më e madhe e tregut të këngëve në Internet, kjo tregon edhe njëherë faktin se Capital T shquhet për abonues dhe klikime të vërteta autentike, njashtu siç mban emrin edhe kompania e tij muzikore “Authentic Entertainment”. /Telegrafi/