Në qershor, pati spekulime se YouTube ishte duke testuar një produkt të ri për t’i sjellë lojërat online në platformën e saj, dhe tani kjo u konfirmua.
Një email i cili u dërgua tek punëtorët e kompanisë i fton ata që të marrin pjesë më fazën e testimit të ofertës së YouTube, e njohur edhe si Playables. Tani, Google zyrtarisht ka njoftuar se YouTube është duke testuar video lojëra të cilat mund të luhen brenda platformës.
Duke u bazuar tek blogu i Google, YouTube po futet në video lojëra duke e ofruar këtë si ofertën e saj më të fundit eksperimentale, përcjell Telegrafi.
Platforma do ta shtojë një seksion të ri “Playables”, e cila do përmbajë lojëra të cilat mund të luhen si nëpërmjet desktopit ashtu dhe nëpërmjet telefonit.
Prezantimi i lojërave fillimisht është i kufizuar në një numër të vogël përdoruesish të YouTube. Një nga titujt e parë është Stack Bounce, një lojë 3D me një top kërcyes që kërkon klikime në kohën e duhur për t’u futur përmes unazave. Stack Bounce veçse ekziston në shërbimin e mini-lojërave të Google, GameSnacks.
Google thotë se përdoruesit mund të shohin nëse kanë qasje në seksionin e ri të lojërave Playables duke e kërkuar atë pranë “feed-eve” standarde të videove në YouTube. /Telegrafi/