Telegrafi

Ymeri: VV po përgatitet të hyjë e vetme në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Ymeri ka theksuar se zgjedhjet e 11 qershorit janë më të rëndësishmet, të mbajtura në periudhën e pasluftës.

Ai në një konferencë për media ka thënë se këto zgjedhje janë referendum kundër krimit dhe korrupsionit, duke shtuar se janë zgjedhje ku ka qartësi të madhe politike.

“Tash është vetëm një zgjidhje, e ajo është LVV, e cila është duke i bërë përgatitjet e nevojshme që të garojë e vetme”, ka theksuar Ymeri.

Ai më tutje ka theksuar se të gjithë ata që kanë pasur gatishmëri që t’i bashkohen dhe të bashkëpunojnë me LVV, ata sipas tij, janë treguar zemërgjerë për poste.

“Për shkak të posteve AAK dhe Nisma ikën, dhe ne tash kemi përballë njerëz me ambicie pushteti. Ata duan ta ndryshojnë jetën e tyre, ata duan të jenë superstrukturë, ndërsa ne jemi infrastrukturë. Koalicionet e natës janë koalicione paniku”, ka theksuar Ymeri. /Telegrafi/