Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës ka thënë se shkaqet e ikjeve të qytetarëve të vendit janë niveli i lartë i papunësisë dhe kushtet e vështira të punës.
Ymeri tha se shumica e qytetarëve nuk e lëshojnë vendin për tu kthyer, dhe kjo sipas tij do të thotë humbje e besimit për shtetin e tyre.
“Një prej probleme kryesore është niveli i lart i papunësisë si dhe kushtet e vështira të punës me të cilat ballafaqohen qytetarët”, ka thënë ai.
Ymeri theksoi se nga mënyra se si po diskutohet kjo temë në Kuvendin e Kosovës, nuk shpreson që me një rezolutë do të zgjidhet problemi.
Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca e jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditës “Debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit nga paslufta”, kërkesë kjo e 41 deputetëve. /Telegrafi/