Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i është bashkuar karvanit të reagimeve ndaj rezultatit të paraqitur nga ekspertët e Komisionit ad-hoc Ndërkombëtar për demarkacionin me Malin e Zi.
“Si opozitë e bashkuar për muaj me radhë kemi kundërshtuar marrëveshjen për demarkacion. Argumenteve tona iu bashkuan specialistë vendorë e njerëz të fushës e të profesionit.
Argumenteve tona iu bashkëngjitën dhjetëra mijëra në protesta.
Kur thanë se po formojnë një grup për vlerësimin e demarkacionit, ne thamë se nuk do ta pranojmë, pasi nuk përfshinë në të asnjë specialist lokal. Nuk publikuan fare fushëveprimin e këtij grupi. Madje edhe ndërkombëtarët e përfshirë, nuk ishin specialistë.
Ky grup punoi politikisht për t’i sjellë stabilitet qeverisë së Kosovës.
Por, në këto kushte, stabiliteti i qeverisë është e kundërta e stabilitetit të shoqërisë sonë.
Përfundimet proqeveritare të komisionit ishin të pritura dhe të parashikuara në qëndrimin e përbashkët të opozitës.
Ne kishim të drejtë, prandaj do të vazhdojmë me protestat.
Demarkacioni në këtë mënyrë është i papranueshëm dhe kriminal ndaj Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.