Telegrafi

Ymeri i penduar: Qasja ime si kryetar i Vetëvendosjes ishte e gabuar në raport me përfaqësuesen e Kosovës në futboll (Video)

Nënkryetari dhe deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri ka pranuar se qasja e tij dhe e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj përfaqësueses së Kosovës në futboll ka qenë një gabim.

Ymeri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se mënyra si Lëvizja Vetëvendosje është sjellë me simbolet e Republikës së Kosovës ka qenë një lloj proteste.

“Si protestë ka qenë reagimi karshi ndryshimit të simboleve prej identitetit tonë kombëtar që është shumicë shqiptare. Kjo ka qenë protesta. A janë këto simbole të Republikës së Kosovës? Natyrisht që janë. A kisha pasur dëshirë unë t’i ndryshoj këto simbole? Natyrisht që kisha pas dëshirë t’i ndryshojë”.

Nënkryetari i PSD-së ka thënë se deri në momentin që të ndryshohet këto simbole protesta ka përfunduar dhe vazhdimi i protestimit për këto simbole nuk ka më kuptim.

“Për mua dhe deputetët e PSD-së kjo protestë ka përfunduar dhe nuk ka më kuptim. Vetëvendosje le ta vazhdojë atë nëse duan”.

Ymeri për herë të parë në një studio televizive ka thënë se qasja e tij si kryetar dhe e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me përfaqësuesen e Kosovës në futboll ka qenë një gabim.

“Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Unë mendoj se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qasje ime si kryetar [i Vetëvendosjes] ka qenë gabim. Mendoj që ka qenë gabim sepse ka qenë qasje e sforcuar”, tha ndër të tjera Visar Ymeri./Telegrafi/