Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Visar Ymeri ka thënë se vizita e Kurtit në Bruksel më së shumti lidhet me dialogun e jo siç po paraqitet vizitë për çështje tjera.
“Sigurisht ai atje ka takuar edhe zyrtarë tjerë siç ishte Kryeministri i Belgjikës dhe mirë ka bërë, por nuk mund të fshehët fakti se vizita ka qenë për dialogun“, tha Ymeri në “Debat Plus”
Ymeri thotë se mund të kuptohet pozicioni i Kurtit në zgjedhje për dialogun por sipas tij kryeministri e ka të panevojshme të deklarojë tash se nuk e ka prioritet dialogun.
“Ndërmjetësuesit përfshirë edhe SHBA-në nuk e mirëkuptojnë këtë pozicion të Kurtit për dialogun”, shtoi ai, përcjell Telegrafi.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës thotë se Kurti po përdorë fjalë tjera në Kosovë e tjera në takim me ndërkombëtarët për dialogun.
“Për konsum të brendshëm Kurti paraqitet i pathyer në raport me dialogun. Por tash e ka marrë një mësim, me ndërkombëtarët flet me gjuhë tjetër për të njëjtën çështje”.
Ymeri thotë se është gabim i opozitës nëse e kritikojnë Kurtin në raport me dialogun pasi sipas tij të gjithë e dinë që dialogu është i domosdoshëm./Telegrafi/