Site icon Telegrafi

Ymeri fton mërgatën të votojë në zgjedhjet lokale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Visar Ymeri, ka ftuar mërgatën e Kosovës, që të marrë pjesë në mënyrë sa më masovike në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Ai në një konferencë për media ka thënë se zgjedhjet e 11 qershorit kanë dëshmuar që diaspora ka interesim të madh për të votuar dhe ndryshuar gjendjen në vend.

“Që nga përfundimi i luftës kontributi i tyre politik dhe ekonomik, ka qenë tepër i madh, madje ata kanë pas rol të rëndësishëm edhe në ekzistencën tonë. Remitencat që arrijnë në vend, sipas shifrave  zyrtare shkojnë në 500 deri 600 milionë euro në vit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, të gjitha arsyet ekzistojnë që ne të kemi një pjesëmarrje më të madhe të mërgatës në votime, duke shtuar se “po pengohet me një qasje jo të drejtë të këtij pushteti”.

“Shfrytëzoj rastin ta ftoj mërgatën të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, që të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Vota e mërgatës është votë të cilën pushtetit i deritanishëm nuk e do, se është vota e lirë dhe as nuk mund të kushtëzohet. Ky pushtet nuk e do këtë votë, se gjykimin e kanë të pavarur dhe nuk e kanë të kushtëzuar nga interesat klienteliste nga pushteti”, ka shtuar Ymeri. /Telegrafi/

Exit mobile version