Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, fajëson tanimë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për mos liberalizim të vizave.
Në një postim në Facebook, Ymeri thotë se Kosovës i refuzohet liberalizimi i vizave për shkak të shkallës së lartë të krimit e të korrupsionit.
Postimi i Ymerit në Facebook:
Së paku prej vitit 2012, Kosovës i refuzohet liberalizimi i vizave për shkak të shkallës së lartë të krimit e të korrupsionit.
Hashim Thaçi, si bartësi kryesor gjatë këtyre viteve i krimit dhe korrupsionit, asnjëherë nuk e kishte vendosur liberalizimin e vizave mbi interesin e tij personal. Për të, sovranitetit shtetëror, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, asnjëherë nuk kanë qenë më të rëndësishme se sa ruajtja dhe rritja e pushtetit dhe pasurisë së tij private.
Sot, ai paraqitet gjoja si president që do të bëj çmos për të arritur liberalizimin e vizave, apo siç e quan ai “vizionin tonë evropian për liberalizim!”.
Thaçi po tingëllon i ekzaltuar. Për të, procesi për liberalizim është bërë i përdorshëm për ta kontrabanduar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Nuk ka ekzaltim të njëjtë në publik për kushtin tjetër që lidhet me intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Në të vërtetë këtë kusht Thaçi e ka bezdi. Prandaj flet vetëm për demarkacionin.
Për të personalisht më me rëndësi është bërë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion, të cilën vet e ka udhëhequr dhe e ka nënshkruar, dhe kështu për të shpëtuar personalisht nga fakti që i ka falur mbi 8200 hektarë tokë të Kosovës, se sa nëse qytetarët e vendit tonë do të mund të kenë lehtësira udhëtimi në zonën Shengen. /Telegrafi/