Telegrafi

Yllka Gashi bën thirrje: Votoni, shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike për të ndryshuar për të mirë të ardhmen

Foto: Yllka Gashi/Instagram

Aktorja e njohur nga Prishtina, Yllka Gashi, së fundmi në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ka folur rreth më të rejave të saj në fushën e aktrimit dhe jetën private.

Ajo tregoi se ishte filmi “Zgjoi” me regji të mikeshës së saj, Blerta Basholli, ai që e riktheu në vendlindje muaj më parë, për të përfunduar xhirimet e tij si protagoniste kryesore.

“Në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë isha prej fundit të Majit deri në fillim të Korrikut. Fillimisht kemi pasur prova para xhirimeve që i patëm nisur vitin e kaluar. I kemi pasur gjithsej 29 ditë xhirim dhe fatbardhësisht gjithçka ka shkuar mirë e mbarë. Kam pasur fatin të punoj me një ekip njerëzish fantastik, prandaj jam shumë e lumtur dhe shpresoj që filmi të dalë i mirë e të na shpaguhet puna e mundi të gjithëve”, ka thënë Yllka për Telegrafin.

Foto: Yllka Gashi/Instagram

E njëjta ka treguar se ndjen shumë mall për rolet e dikurshme si ‘Zana’ e Familjes Moderne, apo roli në serialin “Kombinati”, që mbeten ndër më të pëlqyerit edhe nga publiku.

Lexo po ashtu Yllka Gashi: Karriera, jeta ime në ShBA dhe filmi i ri që "Zgjoi" dëshirën për t'u rikthyer në aktrim

Tutje, aktorja Gashi duket se është përfshirë në frymën e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen në Kosovë, më 6 tetor, duke u bërë thirrje qytetarëve në mesazhin përmbyllës të intervistës, që të dalin të votojnë.

Foto: Yllka Gashi/Instagram

“Mesazhi im do të ishte: Votoni! Shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike për të ndryshuar për të mirë, të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve të Kosovës”, ka thënë aktorja Gashi për Telegrafin.

Përndryshe, ajo së bashku me burrin e saj, Albionin, dhe vajzën e saj, Ninën, janë zhvendosur prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/