Golden Eagle Ylli është kualifikuar në gjysmëfinale të Prince Caffe Superligës. Skuadra therandase edhe në ndeshjen e dytë ka mundur Bashkimin, kësaj radhe me shifrat 75:86 (14:20, 23:17, 22:28, 16:21).
Therandasit në gjysmëfinale do të përballen me kampionen e Kosovës, Pejën.
Sa i përket ndeshjen në Prizren, periudha e parë u takoi mysafirëve 14:20, derisa ajo e dyta vendasve 23:17, ku pjesa e parë përfundoi 37:37.
Megjithatë, në pjesën e dytë, therandasit ishin më të mirë dhe përkundër tentimeve nga prizrenasit, u shkëputën në rezultat dhe triumfuan në fund 75:86, për tu kualifikuar në gjysmëfinale.
Më të mirët e Bashkimit ishin Erik Copes me 20 pikë e 11 kërcime dhe Lejson Zeqiri me 14 pikë e tetë kërcime.
Kurse te Golden Eagle Ylli më të mirët ishin Alonzo Verge Jr me 31 pikë, katër kërcime e tetë asistime dhe Nate Grimes me 21 pikë e 13 kërcime. /Telegrafi/