Telegrafi

Ylli mposht Rahovecin, barazohet seria gjysmëfinale

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Rahovecit 62:70 (13:25, 18:12, 16:18, 15:15), duke barazuar serinë gjysmëfinale në 1:1.

Dy ndeshjet e radhës do të zhvillohen në Suharekë, kurse skuadra që shënon tri fitore do të kualifikohet në finalen e madhe.

Mysafirët e nisën shumë mirë ndeshje, duke dominuar në çerekun e parë, ku kishin epërsi 7:20, derisa kjo pjesë përfundon 13:25.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe kundërpërgjigjen shpejt, duke ngushtuar epërsinë në 31:35, ndërsa pjesa e parë përfundon 31:37.

Lojë interesante u zhvillua në periodën e tretë, ku therandasit shkëputen sërish në 37:50, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 47:55.

Asgjë nuk kishte përfunduar sepse Vreshtarët rikthehen në 10 minutat e fundit, duke afruar shifrat në 62:66, por nuk arrijnë të bëjnë më shumë dhe Ylli triumfon 62:70.

Te Rahoveci u dallua Ed Daniel me 19 pikë e 14 kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli u dalluan Demetris Morant me 11 pikë e 9 kërcime, Elyjah Clark me 18 pikë dhe Erjon Kastrati me 13.