Telegrafi

Ylli i “Game of Thrones” që pësoi aneurizëm, Emilia Clarke: Një pjesë e trurit tim nuk funksionon

(Foto: Instagram/emilia_clarke)

Emilia Clarke, aktorja e cila u bë e famshme me rolin e saj në serialin “Game of Thrones”, ka treguar se një pjesë e trurit të saj nuk funksionon për shkak të një aneurizmi.

Aneurizmi është një zgjerim jonormal i enëve të gjakut. Clarke pësoi aneurizmin e parë në vitin 2011 dhe të dytin në vitin 2013. Jeta e saj ishte në rrezik. Për fat të mirë, gjithçka përfundoi mirë.

“Një pjesë e trurit tim nuk po funksionon. Fakti që ende mund të flas dhe të jetoj normalisht është i pabesueshëm. Unë i përkas numrit të vogël të njerëzve që arritën t’i mbijetojnë kësaj”, ka rrëfyer ajo në edicionin e ri të emisionit Sunday Morning që transmetohet në BBC.

(Foto: Instagram/emilia_clarke)

Aktorja ka shpjeguar se nëse një pjesë e caktuar e trurit nuk merr gjak brenda një sekonde, ai thjesht vdes. Operacioni i parë, të cilit ajo iu nënshtrua në vitin 2013, nuk pati sukses.

Lexo po ashtu Emilia Clarke flet për momentet kur i është thënë se ka nevojë të bëjë ndërhyrje në fytyrë

“Kisha shumë gjakderdhje dhe mjekët më thanë se kisha pak mundësi për të mbijetuar nëse nuk operohesha përsëri. Gjatë operacionit të dytë ma hapën kafkën”, ka treguar 35-vjeçarja, e cila tash ka një shenjë që shkon nga skalpi deri te veshi.

(Foto: Instagram/emilia_clarke)

Pas gjithçkaje që kaloi, Emilia vendosi të themelojë organizatën humanitare SameYou, e cila mbledh para për njerëzit që shërohen nga operacionet në tru dhe goditjet në tru. /Telegrafi/