Arne Slot raportohet se do të përballet me një vendim të madh teksa ka mbetur vetëm zyrtarizimi i tij si trajneri më i ri i Liverpoolit.
Gjatë muajit janar, bota e futbollit ishte shokuar nga njoftimi i Jurgen Klopp se ai do të largohet nga ‘Anfield’ pas përfundimit të sezonit 2023/2024.
Pas disa muajsh spekulime, ishte raportuar gjerësisht muajin e kaluar se trajneri i Feyenoordit, Slot, do të jetë pasuesi i gjermanit në stol.
Teksa kalimi i tij në Angli është i pashmangshëm, tekniku holandez mund të detyrohet që të marrë një vendim të madh menjëherë.
Siç është raportuar nga gazeta spanjolle Mundo Deportivo, Barcelona e ka bërë Luis Diazin njërin prej objektivave të tyre kryesor për afatin kalimtar veror.
Kontrata e Diazit me Liverpoolin skadon në vitin 2027, kështu që ‘Të Kuqtë’ janë në një pozicion mjaft të fortë pasi nuk kanë nevojë të shesin lojtarë.
Sidoqoftë, në rast se lojtari e bën kërkesën për largim, Slot do të duhet që të marrë një vendim.
Në sezonin 2023/2024, Diaz ka arritur të shënojë 13 gola dhe të dhurojë pesë asistime në 50 paraqitje në të gjitha garat.
Reprezentuesi kolumbian iu bashkua Liverpoolit në janar të vitit 2022 nga Porto, për 50 milionë euro sipas Transfermarkt./Telegrafi/