Skuadra e Ylli ka arritur që të fitojë ndeshjen dramatike ndaj Pejës në hapje të xhiros së gjashtë të Superligës dhe me këtë, një ndeshje më shumë, suharekasit kanë marrë kreun e klasifikimit në elitë.
Ylli ka mposhtur Pejën 99-96 pas vazhdimeve pesë minutëshe, pasi që ndeshja në kohë të rregullt përfundoi 84-84.
Peja ishte më e mirë në pjesë të parë, duke e kaluar atë me dhjetë pikë epërsi ndaj vendasve. Mirëpo, në pjesë të dytë vendasit e drejtuar nga Denis Bajramovic kanë arritur të rikthehen dhe të përmbysin epërsinë e verdhezinjëve mysafirë për të shënuar fitoren e katërt të stinorit nga pesë ndeshje të zhvilluara.
Arif Mehmetaj ka shkëlqyer te Ylli sonte. Ai ka shënuar “double-double” prej 33 pikëve dhe 11 kërcimeve, ndërsa u ndihmua edhe nga Artin Gashi që shtoi 17 pikë dhe Taylor Bessick që dha 15 pikë e 11 kërcime në fitore.
Te Peja, performanca fenomenale e Arti Hajdarit prej 32 pikëve si dhe 24 pikët e Arian Qallakut e double-double’it të Leonard Mekaj prej 18 pikëve dhe 16 asistimeve fenomenale shkuan kot, pasi që ekipi humbi në fund për tre pikë dallim.
Pas kësaj ndeshjeje, Ylli ka bilanc 4-1 në Superligë, ndërsa ka fituar dy derbi, duke e mposhtur edhe Pejën pas Bashkim.
Peja në anën tjetër, ka regjistruar humbjen e tretë të stinorit nga pesë ndeshje të zhvilluara deri tani. /borozani/