Barcelona ka shpresuar të largojë një lojtar në mënyrë që të lehtësohet transferimi i Marcus Rashford dhe duket se tashmë kjo do të ndodhë së shpejti.
Së fundmi u raportua në mediat spanjolle se një prej lojtarëve të Barcelonës ka shprehur vullnetin për t’u larguar nga klubi para mbylljes së afatit kalimtar të janarit.
Gjatë këtij muaji, blaugranasit kishin konsideruar largimin e Ansu Fati dhe/ose Eric Garcia, pasi largimi i njërit prej tyre do të krijonte hapësirë në kufirin e pagave për ta sjellë Rashfordin.
Sidoqoftë, ishte konfirmuar më herët këtë javë se Garcia nuk do të shkojë askund dhe duke marrë parasysh se Fati është i vendosur të qëndrojë tek Barcelona ani pse nuk është pjesë e planeve të Flick, kjo do të thoshte se nuk ka mundësi për transferimin e Rashford.
Sidoqoftë, shpresat mund të ringjallen sërish për shkak të Andreas Christensen, për të cilin Mundo Deportivo ka raportuar se po konsideron largimin nga Spanja shkaku i mungesës së minutave.
Reprezentuesi danez po e ka të vështirë që të sigurojë një fanellë titullari për shkak se Ronald Araujo, Pau Cubarsi dhe Inigo Martinez, që të tre janë më të favorizuar nga Flick.
Christensen nuk ka luajtur ende për Barcelonën që prej se u rikthye nga lëndimi që e la atë jashtë fushave për pesë muaj./Telegrafi/