Site icon Telegrafi

Ylli i Barcelonës lë anash rivalitetin – pranon se Vinicius do ta fitojë Topin e Artë

Jemi vetëm një ditë larg njërës prej ndeshjeve më të famshme në glob mes Real Madridit dhe Barcelonës e njohur më ndryshe si ‘El Clasico’.

Një Barcelonë e ‘ringjallur’ do të përballet me Real Madridin kampionin në fuqi të Evropës dhe Spanjës në një duel që premton spektakël.

Reprezentuesi brazilian Vinicius Junior kësaj radhe nuk do ta ketë përballë kundërshtarin e tij të zakonshëm në këtë ndeshje Ronald Araujo për shkak të lëndimit.

Në vend të tij tekniku gjerman Hansi Flick do të vendos të luajë me Jules Kounde i cili do të ketë një mision të vështirë para vetes për të ndalur atë.

Sidoqoftë, para fillimit të këtij takimi, mbrojtësi Inigo Martinez ka diskutuar disa tema të ndryshme, mes tjerash ka folur edhe për Vinicius.

Martinez ka përmendur kualitetet e larta që ka ai si futbollist, duke pranuar se Vinicius do të shpallet fituesi i Topit të Artë të hënën në Paris.

“Ne të gjithë e dimë se Topi i Artë do t’i takojë Viniciusit. Ai është një lojtar i madh dhe po vazhdon ta dëshmojë këtë”.

“Në Ligën e Kampionëve ai ishte lojtari që vendosi fatin e asaj ndeshje dhe do të përpiqet që të njëjtën ta bëjë edhe ndaj nesh”, ka thënë Martinez.

Kujtojmë se në takimin e fundit zyrtar mes këtyre dy skuadrave kishte triumfuar Real Madridi me rezultat 3-2, aty ku në mesin e golashënuesve kishte qenë edhe Vinicius./Telegrafi/

Exit mobile version