Një klub nga Liga Premier mund të përfitojë nga fakti se një prej yjeve të Barcelonës mund të mbetet i detyruar që të largohet nga Spanja në janar, pavarësisht dëshirës së tij për të qëndruar në La Liga.
Bëhet fjalë për spanjollin Dani Olmo, lojtar pa të cilin mund të mbetet Hansi Flick për pjesën e mbetur të sezonit 2024/2025 pas refuzimit të apelit të Barcelonës për ta regjistruar atë.
26-vjeçari iu bashkua Barcelonës nga Leipzig për shumën e 60 milionë eurove në gusht të këtij viti, pas paraqitjeve të tij fantastike me Spanjën në Euro 2024.
TBR ka raportuar se klubi ka bërë një apel në gjykatën civile në Barcelonë, e cila do të jap verdiktin e saj të hënën.
Tutje në këtë raportim thuhet se klubet angleze janë të informuara për situatën e tij duke përfshirë Arsenal, Liverpool, Chelsea, Manchester City dhe Manchester United.
Olmo nuk është i etur që të aktivizojë një klauzolë lirimi në kontratën e tij, por një lëvizje në formë huazimi mund të konsiderohet.
TBR sugjeron se Arsenali dhe Man City tashmë ‘kanë konfirmuar’ se ato janë të gatshme ta transferojnë atë.
Një kalim i tij tek City do të ishte një zgjedhje logjike duke marrë parasysh se Kevin De Bruyne dhe Phil Foden nuk po paraqiten në nivelin e duhur këtë sezon.
Aftësitë e tij të jashtëzakonshme teknike, të kombinuara me faktin që mund të shënojë edhe si mesfushor, mund të bëjnë që ai të shkëlqejë për Pep Guardiolan./Telegrafi/