Me e-skuterin e ri, përdoruesit mund të udhëtojnë 30 kilometra me një shpejtësi prej 25 km në orë.
Prodhuesi kinez i elektronikës Xiaomi nuk përfaqësohet vetëm në industrinë e smartphoneve, por prodhon edhe pajisje shtëpiake, pajisje sportive dhe skuterë elektronikë, transmeton Telegrafi.
Modeli i ri i skuterit elektronik, Xiaomi Electric Scooter 1S, mund të përshkojë një distancë prej 30 kilometrash me një mbushje.
Automjeti elektrik arrin një shpejtësi deri në 25 km/orë, ka të integruar një pult interaktiv dhe një sistem frenimi të dyfishtë, siç raporton Gizchina.
Për më tepër, përdoruesit mund të zgjedhin midis tre mënyrave: kursimin e energjisë (ECO), normalen (D) dhe mënyrën sportive (S).
I gjithë skuteri peshon 12.5 kg. Automjeti gjithashtu mbështet aplikacionin Zhilian Mijia, i cili u jep përdoruesve qasje në një udhëzues përdorimi.
Çmimi i këtij skuteri është rreth 260 euro. Sidoqoftë, e-skuteri aktualisht është në dispozicion vetëm në Kinë. /Telegrafi/