Telegrafi

Xi i Kinës bën “një udhëtim miqësie” në Moskë, pak ditë pas lëshimit të urdhër-arrestit për Putinin

Presidenti kinez Xi Jinping do të takohet sot me homologun e tij rus, Vladimir Putin në Moskë, vizitë që vjen pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale e akuzoi këtë të fundit për krime lufte të premten.

Qeveria ruse thotë se Xi do të mbërrijë të hënën në mesditë dhe më vonë do të takohet me Putinin në një takim jozyrtar kokë më kokë, i ndjekur me një darkë, përcjell Telegrafi.

Negociatat do të zhvillohen më pas të martën.

Xi do të përpiqet të paraqesë veten si një paqebërës pa kompromentuar qëndrimin e tij si një “mik i vjetër i mirë” me Putinin – siç e shprehu lideri rus në një artikull gazete të botuar në Kinë.

Lexo po ashtu Vuçiq pyetet nëse do ta arrestonte Putinin nëse presidenti rus do të vizitonte Serbinë

Xi ka botuar artikullin e tij në Rossiiskaya Gazeta, një e përditshme e botuar nga qeveria ruse, në të cilën ai bëri thirrje për “pragmatizëm” për Ukrainën.

Ai tha se propozimi i Kinës, një dokument 12-pikësh i publikuar muajin e kaluar dhe i hedhur poshtë kryesisht nga perëndimi, pasqyron pikëpamjet globale dhe kërkon të neutralizojë pasojat.

Megjithatë, ai pranoi se zgjidhjet nuk janë të lehta.

Sipas përkthimit të Reuters nga rusishtja, Xi shkruan: “Dokumenti shërben si një faktor konstruktiv në neutralizimin e pasojave të krizës dhe promovimin e një zgjidhjeje politike. Problemet komplekse nuk kanë zgjidhje të thjeshta”. /Telegrafi/