Telegrafi

Xhirimet e “Avatar” vazhdojnë këtë javë në Zelandën e Re

(Foto: Instagram/jonplandau)

Filmbërësi i famshëm hollivudian, James Cameron, ka vendosur t’i vazhdojë xhirimet e “Avatar”, ndërsa është bërë e ditur se skenat e reja do të xhirohen gjatë kësaj jave.

Edhe pse shumë realizime filmike janë ndërprerë për shkak të pandemisë së coronavirusit, producentët e “Avatar” kanë vendosur të vazhdojnë me xhirimet – njofton revista Rolling Stone.

“Vendxhirimet tona të ‘Avatar’ janë gati dhe jemi shumë të gëzuar që po kthehemi në Zelandën e Re në javën që vjen”, kishte shkruar ditë më parë producenti Jon Landau.

Ky do të jetë filmi i parë që rifillon xhirimet pas krizës së pandemisë që ndërpreu shumë projekte filmike – raporton Variety.

Lexo po ashtu Tregohet se si do të duket vazhdimi i “Avatar”

Fakti që Zelanda e Re ka reaguar shumë mirë ndaj krizës së krijuar, ka bërë që situata të jetë e qetë dhe shumë ekipe televizive dhe filmike kanë marrë ngjyrë të gjelbër për të vazhduar ne projektet.

“Avatar 2” pritet të nisë shfaqjen nëpër kinema nga 17 dhjetori 2021, ndërsa vazhdimet tre, katër dhe pesë do të jepen në vitet 2023, 2025 dhe 2027. /Telegrafi/