Site icon Telegrafi

Xhelal Hajrullahu largohet nga Lëvizja Vetëvendosje, tregon arsyet

Kryetari i pikës më të madhe të vetëvendosjes në Komunën e Gjilanit – Zhegër, Xhelal Hajrullahu, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat përfaqësuese të kësaj partie pas 6 vjet angazhimi.

Ai ka theksuar se shkas i largimit të tij janë proceset problematike të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Gjilan, e cila sipas tij, vazhdon me avazin e vjetër për mos shpërndarjen e përgjegjësive në proporcion të barabartë në bazë të meritokracisë, injorimin dhe shpërfilljen e anëtarëve dhe krijimi i favoreve  për ata që janë të dëgjueshëm.

“Demokracia e sotme në Lëvizjen Vetëvendosje! Qendra në Gjilan, është një demokraci me probleme dhe me demokraci  jo të vërtetë. Mospajtimet në Lëvizje janë shfaqur nga aktivistë dhe qytetarë të shumtë para dhe pas zgjedhjeve lokale me kandidimin për kryetar komune, të deleguar nga niveli qendror, e që rezultoi me humbje të këtyre zgjedhjeve.  Gjendja u përkeqësua edhe më shumë pas qarjeve të mëdha që ndodhën në nivel qendror e që u manifestuan me dorëheqjen e një numri të caktuar të figurave që kanë bartur funksione brenda subjektit në nivel lokal”, ka thënë Hajrullahu.

Sipas tij, largimi i shumë figurave  me peshë intelektuale shkaku i disa personave që janë me vite të tëra në organizatë e që shiten si pronar të saj, janë disa nga arsyet që në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka vend për njerëz meritor dhe me vlera.

“Këtë më së miri e dëshmon edhe mbajtja e  mbledhjes së XVII-të të Këshillit të Qendrës, ku janë bërë zgjedhjet për plotësimin  e kryesisë së Qendrës si dhe delegatëve në Këshillin e Përgjithshëm. Këto zgjedhje ishin të porositura dhe me kushte të padrejta për pjesëmarrësit”, pohon Hajrullahu.

Ai ka bërë të ditur deri në një vendim tjetër të ri do të vazhdojë t’i jetësojë  bindjet e tij politike si këshilltar i pavarur në Kuvendin Komunal të Gjilanit. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version