Telegrafi

Xhaxhai i 18-vjeçarit në Podujevë: Më kanë ardhur në shtëpi familjarët e sulmuesve, kërkoj drejtësi nga shteti

Fundjavën që shkoi, Lulzim Fejzullahu, 18 vjeç, u rrah nga dy persona. Ngjarja ndodhi në komunën e Podujevës më 14 janar.

Policia konfirmoi gjashtë ditë më vonë se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa autorët e dyshuar për rrahjen – të dy të mitur – janë ndaluar.

Raportohet se zënka mes të rinjve nisi në një floktari.

Rrahim Fejzullahu – axha i viktimës në Podujevë thotë se atë e ka kontaktuar babagjyshi i njërit prej sulmuesve.

“Më ka ardhur në shtëpi pas dy dite. Më ka thënë “a më pranon në shtëpi”. I kam thënë “shqiptarë jemi, urdhëro”. Më ka thënë se “të rinjtë nuk po dinë”. Më ka thënë “edhe i joni është i therur, dorën e ka me fasha”. Ai u bind vetëm pasi i ka parë kamerat”, tregon Fejzullahu.

Lexo po ashtu Xhaxhai i Lulzim Fejzullahut: Ngjarja ka ndodhur pak metra larg shtëpisë, një orë djali ka qëndruar i shtrirë pas sulmit

Ai thotë se ka marrë mesazhe edhe nga babai i sulmuesit.

“Baba i sulmuesit ma ka dërguar një person. “Nëse ka nevojë për dërgim për shërim jashtë shtetit, mund ta dërgojë me shpenzimet e mia”. Ju faleminderit. Nuk ka nevojë, ju kam thënë. Iu kisha lut tash le të më lejë rehat në derte të mia”.

“Nga shteti kërkoj drejtësi, kanë gjetur thika apo jo, nipi i ndjerë nuk flet. Unë nuk e di e kujt ka qenë. Djali nuk ka qenë problem. Kush e ka njohur fjalë te keqe për të nuk ka”, tha ai”.

Po ashtu, Fejzullahu theksoi se kafiteria e njërit prej dorasit pavarësisht rastit, vazhdon të punojë.

“Kur kam ardhur për Prishtinë e kam parë hapur….Kërkoj drejtësi nga shteti”, ka treguar ai./Telegrafi/