Telegrafi

Xhaketa që e ka veshur Ford në filmin “Star Wars” pritet të shitet mbi një milion euro

Xhaketa, të cilën e ka veshur aktori legjendar, Harrison Ford, në rolin e Han Solos në filmin “Star Wars: The Empre Strikes Back”, do të nxirret në ankand në muajin shtator. 

Ndërsa, sipas parashikimeve, besohet se mund ta arrijë çmimin deri në një milion funte (1.12 milion euro).

Xhaketa e Han Solos (Foto: Prop Store)

Në ankandin në Londër do të dalin në shitje 600 gjësende nga filma të ndryshëm, në mesin e tyre edhe ‘hoverboardi’ i Marty McFly nga filmi “Back To The Future Part II”, si edhe kostumi që e ka veshur Johnny Depp në “Edward Scissorhands”.

Shtëpia e ankandeve, Prop Store, ka njoftuar se do të shiten disa suvenirë legjendarë, ndërsa fansat e filmave “Star Wars” do të mund ta blejnë edhe helmetën e Stormtrooperit nga filmi “Star Wars: A New Hope”. Kjo helmetë pritet të shitet afro 50.000 funte (56.220 euro).

Xhaketa që e ka veshur Harrison Ford në filmin “Star Wars: The Empre Strikes Back” (Foto: Prop Store)

Edhe helmeta nga filmi “Star Wars: The Last Jedi” pritet të shitet me të njëjtën shumë, ndërsa përfitimet do të dhurohen për bamirësi.

Shpata Lightsaber, të cilën e ka përdorur Hayden Christensen në rolin e Anakin Skywalker në filmin “Star Wars: Revenge Of The Sith” pritet të shitet 100.000 funte (112.430 euro).

Ankandi do të mbahet nga 6 deri më 20 shtatori në Londër. /Telegrafi/