Xhaketa, të cilën e ka veshur aktori legjendar, Harrison Ford, në rolin e Han Solos në filmin “Star Wars: The Empre Strikes Back”, do të nxirret në ankand në muajin shtator.
Ndërsa, sipas parashikimeve, besohet se mund ta arrijë çmimin deri në një milion funte (1.12 milion euro).
Në ankandin në Londër do të dalin në shitje 600 gjësende nga filma të ndryshëm, në mesin e tyre edhe ‘hoverboardi’ i Marty McFly nga filmi “Back To The Future Part II”, si edhe kostumi që e ka veshur Johnny Depp në “Edward Scissorhands”.
Shtëpia e ankandeve, Prop Store, ka njoftuar se do të shiten disa suvenirë legjendarë, ndërsa fansat e filmave “Star Wars” do të mund ta blejnë edhe helmetën e Stormtrooperit nga filmi “Star Wars: A New Hope”. Kjo helmetë pritet të shitet afro 50.000 funte (56.220 euro).
Edhe helmeta nga filmi “Star Wars: The Last Jedi” pritet të shitet me të njëjtën shumë, ndërsa përfitimet do të dhurohen për bamirësi.
Shpata Lightsaber, të cilën e ka përdorur Hayden Christensen në rolin e Anakin Skywalker në filmin “Star Wars: Revenge Of The Sith” pritet të shitet 100.000 funte (112.430 euro).
Ankandi do të mbahet nga 6 deri më 20 shtatori në Londër. /Telegrafi/