Telegrafi

Xhaka rikujton golin e tij para ndeshjes ndaj Hull Cityt (Video)

Arsenali është nikoqir i Hull Cityt në ndeshjen e javës së 25-të të Ligës Premier, ku pritet që Topçinjtë të arkëtojnë pikë të plota.

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, nuk mund të luajë në këtë ndeshje, pasi po e vuan edhe pezullimin e fundit (të katërtin) për shkak të ndërhyrjes së rëndë ndaj Steven Defour në sfidën ndaj Burnleyt.

Lexo po ashtu Xhaka do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme, do të humbë takimin e titullit

Mirëpo, ai i ka uruar sukses skuadrës duke kujtuar golin e tij fantastik pikërisht kundër Hull Cityt të shënuar në pjesën e parë të sezonit.

“E shënova golin tim të parë për Arsenalin kundër Hull Cityt dhe shpresoj që sot (e shtunë) të jetë rezultati i njëjtë për ekipin tonë”, ka shkruar Xhaka në Instagram.

I suspenduar është edhe trajneri Arsene Wenger, i cili do ta shikojë ndeshjen e katërt radhazi nga tribunat, pasi FA e dënoi për sjellje të pahijshme për reagimet e tij në takimin ndaj Burnleyt.

Ndryshe, Arsenali renditet i katërti në tabelë me 47 pikë, 12 më pak se lideri Chelsea. /Telegrafi/