Taulant Xhaka nuk është duke luajtur më në qendër të mesfushës.
Me ardhjen në krye të skuadrës Marcel Koller, ka ndryshuar edhe pozita e Taulantit.
Futbollisti shqiptar tani është kthyer në qendër të mbrojtjes dhe po luan me sukses, ku ka pasur disa paraqitje të mira.
Ka qenë vetë futbollisti shqiptar që ka folur për pozitën e tij të re në fushë duke thënë se nuk është ndonjë problem.
“Pozicioni im natyral është mesfushor, por në karrierën time kam luajtur kudo, mesfushor i djathtë, mbrojtës i djathtë dhe tani mbrojtës qendre”, tha Xhaka për BZ Basel.
“Çdo pozitë në fushë ka të mirat e veta, tani në qendër të mbrojtjes vrapoj më pak”, tha Xhaka duke qeshur.
Xhaka flet edhe për eksperiencën e tij që ka deri më tani duke luajtur në elitën e futbollit zviceran.
“Të luash në qendër të mbrojtjes të duhet eksperiencë, gjë që e kam fituar me vitet mbi shpinë. Tani jam 28-vjeç dhe ndjej se me eksperiencën që kam, mund të mbuloj të gjitha rolet në fushë”, deklaroi Xhaka.
Ndryshe nga Baseli, tek Kombëtarja e Shqipërisë, Xhaka aktivizohet vetëm si mesfushor qendre. /Telegrafi/