Arsenali ia besoi shiritin e kapitenit Granit Xhakës në ndeshjen kundër Newcastle United dhe ai e shpagoi nderimin që iu bë.
Topçinjtë fituan me rezultat 1-0 si mysafirë, ndërsa kjo ishte ndeshja e 100-të në Ligën Premier për mesfushorin shqiptar me fanellën e klubit londinez.
Natyrisht se Xhaka i është gëzuar kësaj arritjeje, sidomos për faktin që u shënua me fitore.
“Jam krenar me mënyrën si luftuam në këtë ndeshje. Ishte ndjenjë e mirë ta zhvilloja ndeshjen time të 100-të në Ligën Premier për këtë klub të madh, Arsenal”, ka shkruar ai në përshkrimin e një fotografi të publikuar në rrjetet sociale.
Mesfushori 26-vjeçar kishte një paraqitje solide në atë sfidë, ndërsa u vlerësua me notën 7.0. /Telegrafi/