Wojciech Szczesny beson se Granit Xhaka është lojtari që mund t’i ndihmojë Arsenalit që ta fitojë titullin e Ligës Premier në sezonin e ardhshëm.
Mesfushori shqiptar kaloi në Londër nga Borussia Monchengladbachu për 30 milionë funte, pasi Arsene Wenger po përpiqet të ndërtojë një skuadër të fuqishme që do të kërkojë trofe.
Szczesny, i cili në sezonin e kaluar ishte i huazuar te Roma, beson se arritja e Xhakës do t’u ofrojë Topçinjve një dimension tjetër në lojën e tyre.
“Ndoshta ishte një mundësi e humbur nga Arsenali (në sezonin e kaluar), por ata luajtën mirë dhe ishin shumë afër (që ta fitonin titullin)”.
“Për mua ishte zhgënjyese si tifoz, por me transferin e ri, Xhakën dhe ndoshta edhe një ose dy të tjerë, ne mund të konkurrojmë sërish”, ka thënë portieri.
Në edicionin e kaluar në Bundesliga, shqiptari 23-vjeçar shënoi tre gola dhe krijoi 22 raste për gol në 28 paraqitje, i fitoi 49 për qind të dueleve dhe kishte një mesatare të pasimeve prej 85 për qind. /Telegrafi/