Site icon Telegrafi

Xhaka drejt rikthimit në Kombëtare

Nuk është zyrtare, por nuk ka si të ndodhë ndryshe, vetëm nëse ka ndonjë arsye madhore jashtë futbollit.

Taulant Xhaka është shumë pranë rikthimit në Kombëtaren shqiptare. Kjo për dy arsye. E para, kuqezinjtë kanë mungesa të shumta në radhët e tyre, sidomos në mesfushë.

Dhe e dyta, Xhaka ka bërë ndeshje shumë pozitive në Champions League. Në humbjen ndaj Manchester United ai ishte më i miri për skuadrën e tij, por edhe në fitoren 5-0 ndaj Benfica-s, Taulanti u vlerësua maksimalisht.

Taulant Xhaka është aktivizuar radhazi dhe titullar thuajse në të gjitha ndeshjet e shtatorit. Nëse u referohemi fjalëve të trajnerit Panucci, që nuk ka asgjë me futbollistin dhe e kishte derën e hapur, atëherë me shumë siguri mesfushori i Basel do të grumbullohet për dy ndeshjet e tetorit, me Spanjën më 6 tetor dhe me Italinë më 9 tetor, të vlefshme për eliminatoret “Rusi 2018”, shkruan Telesport.

Christian Panucci do të publikojë listën më 29 shtator dhe risia kjo pritet të jetë, përfshirja e Taulant Xhakës, por edhe ndonjë prurje e re, ku është përfolur Emanuele Ndoj i Breshias.

Ndaj Spanjës do të mungojë Mavraj, Roshi dhe Kukeli për arsye kartonësh, ndërsa Abrashi mbetet jashtë për arsye dëmtimi. Edhe Andi Lila është në dyshim, pasi u dëmtua fundjavën e kaluar.

Në fakt, më shumë se për ndeshjen me Spanjën në transfertë, që është mision i pamundur për të marrë një pikë, kuqezinjtë dhe stafi po mendojnë për ndeshjen me Italinë në “Loro Boriçi”, ku me ndihmën edhe të tifozëve, mund të arrihet një rezultat pozitiv, për faktin se edhe ekipi është më i kompletuar pas rikthimeve nga pezullimet.

Exit mobile version