Telegrafi

Xhaferi pas takimeve në Katar: Punojmë intensivisht për reformat, në qershor presim datën për BE

Në kuadër të Asamblesë së 140. të UIP, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi takime bilaterale me Zigfrid Brake, kryetar i Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit Federal të Belgjikës dhe Nurlan Nigmatulin, kryetar i Mazhilisit të Parlamentit të Republikës së Kazakistanit.

Në takimin me z. Brake, kryetarin e Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit të Belgjikës, Xhaferi shprehu kënaqësi për takimin dhe theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve karakterizohen me miqësi, marrëdhënie të mira diplomatike dhe bashkëpunim të hapur në të gjitha fushat, njofton Telegrafi Maqedoni.

Brake i përshëndeti hapat historike të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj kah integrimi euroatlantik dhe evropian dhe nënvizoi se Mbretëria e Belgjikës i çmon lartë përpjekjet që i bëjmë në procesin reformues, sidomos në pjesën e sundimit të të drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ai theksoi se Mbretëria e Belgjikës e mbështet vendin tonë në përcaktimin e saj strategjik – anëtarësimin në NATO dhe BE me ç’rast theksoi se pas përfundimit të zgjedhjeve, edhe Belgjika do e ratifikojë Protokollin për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Xhaferi gjithashtu realizoi takim edhe me kryetarin e parlamentit të Republikës së Kazakistanit, Nurlan Nigmatulin, ku theksoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer dhe ekzistojnë mundësi për bashkëpunim në të gjitha fushat.

Në fund të takimit u vu theks edhe mbi mbështetjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut të nismave të Kazakistanit në organizatat ndërkombëtare, që është veçanërisht e shprehur në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së./Telegrafi/