Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka dhënë një deklaratë për Nova Tv, pas përfundimit të takimit me eurokomisionerin për zgjerim, Johannes Hahn, përcjell Telegrafi Maqedoni
”Johannes Hahn rikonfirmoi mbështetjen e KE-së për zgjedhjen time si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Nga ana ime, Hahn u njoftua për të gjitha hapat që janë ndërmarrë të karakterit formal juridik nga momenti kur kam marrë detyrën e më tej. E njoftova atë me mendimin tim në lidhje me gjithëpërfshirjen e angazhimit që të punoj me të gjitha grupet parlamentare nga cilado partie qofshin ato, pa marrë parasysh nëse e kanë mbështetur, ose jo, zgjedhjen time për kryetar.
Duhet të krijojmë klimë që Kuvendi dhe Qeveria e ardhshme të ndërmerr masa për reformat që dalin nga raporti i Priebe-së. Sipas Rregullores, seanca e radhës duhet të jetë seancë për zgjedhjen e qeverisë sepse nuk ka kushte për tjetër seancë.
Jam i obliguar të pres 10 ditë që Ivanovi të vendosë për të dhënë mandatin dhe në këtë periudhë nuk mund të ndërmarrim asgjë për seancë për zgjedhje të qeverisë.
Mendoj se Ivanovi do të reflektojë për ta dhënë mandatin, por duke menduar hipotetikisht, nëse ai nuk e jep mandatin, duhet ta dijë se përfundojnë kompetencat e tij me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, në aspekt të çështjeve të demokracisë parlamentare dhe Kuvendi si i tillë ka përgjegjësi për zgjedhje të Qeverisë së re.
I kuptoj reagimet në lidhje me vendosjen e flamurit shqiptar, por pas 27 prillit duhet të gjithë të kutpojnë se as flamuri e as programi i partive politike shqiptare nuk janë ata që ndikojnë në jetën politike në vend sepse programet janë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën. Atë e kam bërë si ndjenjë personale për shkak të përkatësisë sime etnike, duke mos rrezikuar funksionin dhe përgjegjësitë e kryetarit të Kuvendit. Nuk duhet askush të frikësohet nga ai flamur, pasi që edhe flamuri shtetëror gjendet në vendin ku i takon të vendoset”, tha mes tjerash, Talat Xhaferi, Kryetar i kuvendit të Maqedonisë./Telegrafi/