Telegrafi

Xhaferi në takim me Dukaj: RMV dhe Mali i Zi do të vazhdojnë me sukses rrugën drejt BE-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në takimin e sotëm me ministrin e Administratës së Malit të Zi, Marash Dukaj, e përshëndeti nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet Ministrive të Administratës Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit të të dy vendeve në Bashkimin Evropian, informoi pres shërbimi i Kuvendit.

Xhaferi e njoftoi mysafirin nga Mali i Zi për procedurën e filluar në Kuvend për ndryshimin e Kushtetutës, si parakusht për vazhdimin e integrimit evropian, dhe proces që duhet të vazhdojë më 18 gusht në seancën tashmë të caktuar plenare të Kuvendit. Foli edhe për kryesimin e vendit tonë me OSBE-në, Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe për Ballkanin e Hapur.

“Ministri i Administratës i Malit të Zi, Dukaj, tha se bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve tona është i rëndësishëm, sepse si vende të vogla, së bashku mund të arrijmë më shumë në përpjekjet tona për integrimin evropian. Ai e theksoi bashkëpunimin në futjen e sistemit PayPal dhe në trajnimin e kuadrove për sigurinë kibernetike. Në lidhje me procesin paszgjedhor në Mal të Zi, ministri Dukaj informoi se dje ishte konstituuar Kuvendi i Malit të Zi, ndërsa më tutje do të vijojnë bisedimet për formimin e Qeverisë”, thuhet në kumtesën nga takimi.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë shfaqur shpresë dhe mbështetje të ndërsjellë se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Mali i Zi do t’i tejkalojnë sfidat e ardhshme dhe do të vazhdojnë me sukses rrugën drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu, shprehën qëndrimin pozitiv në drejtim të avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.