Telegrafi

Xhafaj: Operacioni i kokainës, meritë e policisë shqiptare

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj ka paralajmëruar në Kuvend se shumë shpejt do të bëhen publike rezultate të operacioneve të tjera të rëndësishme antikriminale. Ai këmbënguli se operacioni për kapjen e 613 kg kokaine është meritë e policisë shqiptare.

“Operacioni, meritë e policisë shqiptare. Në operacion u përfshi dhe prokuroria. Po vazhdon për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale. Policia ka rigjetur besimin te partnerët, si rezultat i tij aktualisht policia është e përfshirë në disa operacione të rëndësishme antikriminale, me partnerë të rëndësishëm si FBI dhe DEA, GdF, Europol dhe agjenci homologe të vendeve anëtare të BE rezultatet e të cilave shumë shpejt do të jenë publike”, tha Xhafaj.

Ai tha se procesi i vetingut do të sjellë standard profesionalizmi në radhët e policisë. “Procesi i vetingut shpresoj se do të sjellë standard profesionalizmi dhe standarde të figurës në policinë e shtetit. Policia jo vetëm po arrin rezultate të rëndësishme në luftën e saj kundër krimit, po nga njëra anë ka rritur besimin te qytetarët, dhe nga ana tjetër po dekurajon veprimtarinë kriminale të elementëve të krimit të organizuar”, theksoi Xhafaj. /Telegrafi/