Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka tha sot se duhet të ketë një angazhim sa më të gjerë e sa më konstruktiv për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Xhaçka kështu deklaroi në një takim me homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno në Tiranë, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.
“Sigurisht diskutuam edhe për çështjen e Kosovës, e cila merr rëndësi të veçantë duke qenë një hallkë themelore për sigurinë dhe stabilitetit të Ballkanit…
Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë amerikanë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ne shpresojmë që marrëveshja do të zbatohet në një kohë sa më të shkurtër, pasi kjo do të kishte një ndikim shumë pozitiv për stabilitetin, por edhe bashkëpunimin rajonal, e sigurisht do të hapë edhe një perspektivë të re për një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Xhaçka, raporton Telegrafi.
Kryediplomatja shqiptare tha se është në të mirën e vet Bashkimit Evropian që të ketë një angazhim më të gjerë rreth anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Besojmë që është në të mirën e rajonit, por edhe të vet Bashkimit Evropian që me Kosovën të ketë një angazhim sa më te gjerë dhe më konstruktiv, përfshirë edhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare për të shmangur një izolim që do të kishte pasoja jo vetëm për Kosovën por për të gjithë ne”, vijoi ministrja shqiptare.
Nga ana tjetër, ministri spanjoll Jose Manuel Albares Bueno, vendi i të cilit është në grupin e pesë vendeve të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, nuk preferoi të ndalet shumë në çështjen e Kosovës.
Ai e përmendi shkurt se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ishin pjesë e diskutimit, ndërkaq theksoi se Spanja do të mbështesë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/