Barcelona arriti që në ditën e fundit të afatit kalimtar veror të nënshkruajë me dy futbollistë shumë të kërkuar.
Fjala është për dy protugezët, mbrojtësin Joao Cancelo dhe sulmuesin Joao Felix që iu bashkuan katalunasve në formë huazimi.
Mbrojtësi anësor erdhi nga Manchester City derisa sulmuesi nga Atletico Madrid, por katalunasit nuk e kanë të drejtën e blerjes së tyre në fund të sezonit.
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka grumbulluar të dy lojtarët për ndeshjen ndaj Osasunës, derisa është shprehur i lumtur që i ka nën urdhrat e veta.
“Cancelo më ka pëlqyer gjithmonë, është lojtar që ka luajtur në nivele të larta dhe është fitues. Ndërsa Felix mund të luajë në disa pozicione, kjo është diçka pozitive sepse mund të përgjigjet kudo ka nevojë ekipi”, u shpreh Xavi.
Ai ka folur edhe për përballjen me Osasunën, ky synon të arkëtojë tre pikët.
“Osasuna luajnë fort në shtëpi, do të jetë një ndeshje e komplikuar. Sapo janë eliminuar nga Liga e Konferencës dhe nuk janë në situatën më të mirë të mundshme, megjithatë do të jetë e vështirë, por ne duam të marrim maksimumin”, deklaroi Xavi. /Telegrafi/