Barcelona ka marrë të shtunën në mesditë një fitore spektakolare 4-0 ndaj Getafes duke kaluar në pozitën e dytë në tabelë.
Me tre pikët ndaj Getafes, diferenca e Barcelonës me Real Madridin është vetëm pesë pikë, por që kryeqytetasit spanjollë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Barcelona mund të rikthehet sërish në pozitën e tretë, pasi edhe Girona që ka një pikë më pak ka një ndeshje të mbetur.
Megjithatë trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka thënë se përkundër diferencës së pikëve, ai nuk dorëzohet për titullin e kampionit dhe do të luftojë përderisa ia lejon matematika.
“Asgjë nuk ndryshon, ne nuk dorëzohemi. Ne e dimë që duhet të fitojmë tri pikë çdo fundjavë. Na kanë mbetur 12, ata kanë 13 ndeshje”.
“Java e kaluar ishte shumë pozitive, sepse ne e shkurtuam diferencën. Do të jemi shumë të vëmendshëm ndaj Gironas dhe Realit”, deklaroi trajneri katalunas.
Ndeshjen e ardhshme Barcelona do ta ketë një udhëtim shumë të vështirë, pasi do të përballet me Athletic Bilbaon në udhëtim, skuadër që i kishte eliminuar katalunasit nga Copa del Rey. /Telegrafi/