Telegrafi

Xavi thotë se Barcelona synon ta fitojë Ligën e Evropës

Barcelona do të luajë me Napolin në Ligën e Evropës, pasi u eliminua në Ligën e Kampionëve.

Blaugranasit do të kenë një duel tejet të vështirë dhe Xavi Hernandez e di se me çfarë skuadre ka të bëjë.

“Napoli është rival i vështirë. Kemi pasur një short të pafavorshëm. Është një nga rivalët më të vështirë, është në nivelin e Ligës së Kampionëve”, deklaroi strategu i Blaugranasve.

“Është pothuajse një tjetër nderim për Maradonën, i cili luajti si në Barcelonë ashtu edhe në Napoli. Synimi ynë është që ta fitojmë Ligën e Evropës”.

Barcelona i dha lamtumirën Ligës së Kampionëve, pasi u rendit e treta në grup, për këtë arsye ra në Ligën e Evropës, ku do të luhet kalimi në raundin e dytë të kompeticionit të dytë kontinental kundër Napolit.

Xavi e kupton se situata e stafit të tij duhet të përmirësohet.

“Ne po punojmë shumë për ta rikthyer Barcelonën në pozicionin më të mirë në futbollin evropian, që është të garojë në Ligën e Kampionëve. Ne jemi Barça, duhet të kthehemi sa më shpejt”, shtoi më tej Xavi.

situata për Barcelonën nuk qëndron më mirë as në La Liga, pasi gjenden në vendin e tetë me 24 pikë, 18 më pak se lideri, Real Madridi. /Telegrafi/