Sipas ish-mesfushorit të Barcelonës, Xavi, Neymar theu lajmet për dëshirën e tij për të lënë Barcelonën në dasmën e Lionel Messi në muajin qershor.
Reprezentuesi i Brazilit u bashkua me Paris Saint-Germainin në muajin gusht për një shifër rekord botëror të transferimeve prej 222 milionë eurosh pas shumë javësh spekulime mbi të ardhmen e tij.
Futbollisti brazilian këmbëngul se vendimin për të pranuar propozimin e PSG-së e mori vetëm dy ditë përpara se marrëveshja të përfundojë.
Por, Xavi ka treguar se Neymar e bëri të qartë se dëshironte të largohej nga Camp Nou në dasmën luksoze të Messit dhe Antonella Roccuzzos në Rosario.
“Ai na tha në dasmën e Messit se donte të ndryshonte ekip”, ka thënë fillimisht Xavi për BBC World Service.
“I thashë atij: ‘Por, pse?’ [Ai tha] “Nuk jam i lumtur në Barcelonë, unë preferoj të largohem, të kem një eksperiencë të re në Paris Saint-Germain, së fundi, ishte vendimi i tij”.
Tutje, ish-mesfushori spanjoll ka folur edhe për skuadrën e PSG-së, për të cilët mendon se me organikën që kanë mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve.
“Unë mendoj se, me Neymarin, me Mbappen, Paris Saint-Germain kanë një shans të madh për të fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/